Saturday, March 3, 2012

Vullnet Mato - VIZITA VIRTUALE



Vullnet Mato

VIZITA VIRTUALE

Miqtë e mi në Shkodër,
Në Gjermani, në Amerikën e largët,
në Londër...
Erdha dhe vizitova
të gjitha shpërfaqjet tuaja virtuale.
Nuk gjeta aty asnjërin
nga ju njerëzit më të dashur.
Ku ishit kur shfletova profilin tuaj
me foto dhe vargje momentale ?... 

Nga bridhnit, në cilin kontinent
ishit shtruar me miq?...
Në Atlantik trazova kudo
linjat e dallgëve elektronike.
Në brigjet e Paqësorit
tunda të gjithë plazhet lakuriq.
Në cilin ishull zezak
kishit shkuar ato çaste për eksplorim?

Zbrita në kepin e bisedimeve chat,
ku vezullojnë yjet jeshil.
Me shkrim dhe msn s’u kapa dot
nga mbrëmja deri në mëngjes.
Sinjalet e kuq i kishit mbyllur
si yje të shuar në qiell steril 
dhe u tremba mos u kishte thithur
ndonjë gropë e zezë.

Pyeta planetët roje,
kur dielli kish shkuar të drekonte
matanë globit teksa këtej darkonte nata,
mos u kishin parë
te bari i ndonjë kozmodromi,
duke pirë kafe në agim,
apo diskove qiellore duke vallëzuar
me kometat e flokëgjata.
Pasi nuk ua gjeta askund koordinatat,
rashë në trishtim?

Eh, miqtë e mi të mirë,
të paktën kur të vij
të trokas në qiellin tuaj tjetër herë,
mos më lini të vetmuar,
të bëhem pupël,
nga mungesa e peshës në stratosferë!..

No comments:

Post a Comment