Tuesday, March 13, 2012

Vullnet Mato - KAFSHIMI APO PUTHJA




KAFSHIMI APO PUTHJA

Nuk arrij kurrsesi
të kuptoj ç’po ngjet,
pse njerëzit që lindin
vetëm nga puthjet,
kur rriten fillojnë
të mësojnë me qejf,
si mund të kafshojnë
egërsisht më tutje.

Kafsha fillon të godasë
dhe të kafshojë
se mëson të ushtrojë
brirët dhe dhëmbët.
Fëmija që kur ende
s‘ka dhëmbë në gojë,
mësohet me përqafimet  
e babait dhe nënës.

Pse duhet të rritet
me urrejtje të thellë,
të përdorë thikën
dhe vdekjen e plumbit,
derisa vjen në jetë,
destinuar si pjellë,
të jetojë me urtësinë
e gugatjes së pëllumbit!...

Mos ndoshta sepse,
të përsoset si njeri,
nevojiten premisat
qysh në lindje?...
Ndryshe si do dilte
kafsha nga një fëmi,
që formohet veçse
me puthje e ledhatime.

Apo ndoshta sepse
njeriu lind dy herë.
Pas nënës e pjell
barku i shoqërisë,
që mbarset shpesh
me urrejtje të thellë,
nga rruga, parlamenti,
dhe zërat e qeverisë;
Ku ngjizja aty ndodh
me kafshim të dukur.
Teksa duhej të puthej,
kush flet më bukur!...

No comments:

Post a Comment