Friday, March 2, 2012

Sami Gjoka - DUKE MENDUAR PËR GILBERT LUIZ


Sami Gjoka

DUKE MENDUAR PËR GILBERT LUIZ

Në s’janë zgjedhje prej logjike, po prej forcash përmatanë
Përse s’hidhen, përse s’lihen, këto gjëra pak mënjanë?

Ti sheh librat që ke shkruar, ëndrrash, nëpër  mijëra duar
E mendon se në të ardhmen fama jote do marrë dhenë
Por, veç shokësh, askush tjetër,emrin tënd, se ka dëgjuar
E kjo nëse thashethemesh, u përmende ndonjëherë.

Gjerë me sot ti s’ke botuar, asgjë tjetër veç një libër
Që vlen mbase të lexohet kur s’ka gjë më për tu bërë
Se është dridhmë e ngjethje frike që vjen si prej errësire
Përmes shiut, përmes reve që janë shqyer nga rrufetë
Prapa mjegujve të syve me qerpikët plot me vesë.

Dikur pate plotë klientë e fryrë kishe llogaritë
Por papritur do të ndalje shtëpi-shitjet ti një ditë
Kur besove se pasioni qe misioni yt i dlirtë
Edhe nise këngën tënde të gjej famën nëpër qiell
E me shitjen e një libri, tani vetëm mbledh qindarka
Që pakësohen e rrallohen, postës sate për çdo herë
Por prapë ndezur nga dëshira gjithë më tutje bën përpara
Dhe humb shokët që kanë mbetur, vajzat edhe dashuritë
Sikur ke një numër librash të caktuar për tu shkruar
Para se të humbët jeta krejt e kotë ne errësirë.

Po pastaj, çfarë ndodh pastaj nëpër këtë mugëtirë?
Pastaj vjen në mendjen tënde një shkrimtar nga Shqipëria
Kandidat për Çmimin Nobel që nuk do ta mirrte kurrë  
Që tani nga maja, lart, po nis rrënjën nga koria
Për tu shfaqur, para botës, pastaj, si Gilbert Luiz,  
Si Gilbert Luiz, që shkon për të vdekur fillikat
Pasi një pije idhësie, sepse bota bën mëkat
Kur kolegu yt do merrte, Çmimin Nobël prej jurisë
Çmimin që për tre dekada vinte, gati, gjerë në prag
Edhe tretej, pa trokitur fare portën e shtëpisë.

Po kush erdhi kësaj bote, t’i bjerë jetës përmidis
Që nuk iku i zhgënjyer, pa qenë pak Gilbert Luiz?
Ai shpesh mendon për mbesën, larg, në fshat, në një luginë
ku zymtia e mbyll jetën nën një varfërim masiv,
Katër vjeçe ajo rendi, si një re në suferinë,
Si habia e momentit e magjepsje për të gjithë.
Për çdo mbrëmje shfaqur në çdo stacion televiziv.
Nga zyrtarët ftuar e pritur nëpër ministritë
Edhe flitej ndër gazeta anekënd Shqipërisë
Në ca shkrime, në ca rreshta se Merisa është gjeni;
Deri sa dhe Presidenti, pozon ngjitur vesh me vesh
E pastaj, shkon nga qyteti, si nga ëndrra në kllapi
Të harrohet mes miletit, që as bukë s’kanë të hanë
Ndër ca njerëz krejt të cekët, si udhëheqësit tanë të rinj,
Që ndaj librit paskan mllef e nga lexuesit alergji,
Gjersa refuzojnë të ndreqin bibliotekat që kanë djegur
E shkretuar, kur u çorrën se qenë ngritur për liri
Bibliotekat që ne patëm dhe në fshatrat më të vegjël
Dhe në zonat më të thella, ku s’ka s’mbetur asnjëri.
Kujt i lipset çfarë talenti strukët brenda vajzës sate
Nëse, pjellë, s’është prej tyre por nga njerëz varfanjakë
Edhe nëse shanset ishin që një ditë të ngjitej deri
Ku mbërritën Pitagora, Euklidi a më  lart,
Se ata që janë mbi krye, janë veç për një rreth të vogël
Që kapakët u vënë syve të të shkelin pas me këmbë
Nëse ndihmë ti kërkove kur s’të kanë as gjak as fis
Ky është shkaku që për vite ke menduar, ke besuar
Që harruar e mohuar, çdo fëmijë i kësaj botë
Është pakë Gilbert Luiz.

Kush ndër njerëz që kanë lindur
Të mbaj hallet mbi kurriz
Gjersa bie i sfilitur
Nuk qe pak Gilbert Luiz?

Ai shpesh mendon të atin si një fije bar nën hije,
zbehur krejt prej varfërisë.
Kujton kohën kur u kthye në atdheun e rrënuar
Pas një thirrje telefoni që vinte nga ambasada
Që për kthimin nga Virxhinia, thoshte se s’kish më rrezik
Atje ku qe sulur turma, më së fundi me të katërta
Se nuk ishte, këmbë duar, më e lidhur me zinxhirë
Se dhe shurrën, ish-Demonit, tash i’a bënte mbi fytyrë
Ish e lire t’ia nxirrte zorrët edhe nënës me demiq
Edhe hidhte pastaj votën mbi kutitë, gjak-njollosur
Zgjidhte cubat që po nxirrnin sërish pallën, e sërish
Do t’ia fuste me gjithë bole, kësaj turme të rreckosur.
E atje do të takonte, kudo, shokët e shpërndarë
Se qenë shokët që kish njohur e kish pasur kohë më parë,
Si ndër mjeguj, ata pyesnin me ca zëra, krejt pa radhë
Se kush duhej zgjedhur, vallë, kapedan i Shqipërisë.

Mban mend se si e panë, vëngër, me mëshirë e me habi,
Në mëdyshje në ka rrjedhur e ka ikur krejt nga mendt
Kur pa pikën e ngurimit, pat kurajën, si fëmijë
Të rrahë gjoksin e të thoshte; – “Babai im!”,
Atje ku s’do hapur goja në s’je mykur me para.
Kish harruar se nga vinte e ë s’dinte se ku ish
Ndaj dhe mburrej me të atin, si një koqe budalla.

Por ai shpesh kishte pare, si i ati kishte ndarë,
në mes fqinjësh fukarenj
Çfarë pak kishte sjellë jeta, ku nuk pati kurrë bollëk
E nëse kish ardhur dita për të zgjedhur
kush ndër njerëz duhej ngritur në pushtet
Tani ndjente me gjithë zemër, të tillë njerëz
të flenë brenda çdo babai të mire që hesht
Që pa bujë e pa lëvdata falte ç’patën vënë nder arka
Me një dorë që s’pret gjë prapa e një sy që dhembur qesh.

Natyrisht çdo udhëheqës duhet të përngjasë së paku me një prind
Dallgë pas dallge që është rrahur e prapë mbetur i paepur, si një shkëmb
Qe ka dete urtësie për nën rrudha, për nën thinja
Si burime të nëndheshme, nën minierën që u shëmb.
Por ai e din sa pak udhëheqësit ngjajnë me prindër
Shtyrë mënjanë, por prapë dollapit, si një pallto e bërë pis,
Nëse jo plotësisht, vlerësuar, di se çdo baba do dukej
Gjithmonë, pak Gilbert Luis.

A nuk është çdokush nga ne që hedh dritë mbi universin
E që kurrë nuk na dha qielli, mbrapsht, ndonjë shpërblim kozmik
Pak Gilbert Luiz i kredhur në sforcimin intensiv,
Në mundimin e vazhdueshëm për të ndritur paksa botën
Derisa një ditë këmbët të pengohen e rrëzohen
Thithur vrimave të zeza mish-e-kockat ku thërrmohen
E nga më nuk do të ketë
Kësaj bote, kurrë, kthim?

Pika jemi ne, shpërndarë në vërtitjen, rreth të kohës
Për gjithëherët për nën fijet që shtojnë e zgjerojnë hapësirën
Çdo njeri që këto fije prêt, përpara, në të ardhmen
Çdo njeri që është harruar pas, ndër varret e gërryer
Mbetën si izolatorë ku, kozmosit, lidhen kabllot,
Bëra nga zotat por që lidhur me secilin janë nga shanset
E parë nga ky kënd, asnjëri
Nuk do mbetët, nuk do shtrihet
Më me vlerë a më i çmuar, më i madh a më i pakët.

Marrëzisht pra në e deshe burrin që shkoi prap se prap
Me gjithë shpirt në je përpjekur ta shpëtosh
por prapë ka vdekur foshnja jote më në fund
Nëse botës i bënë ndere
E prapë keq për ty u shprehen çapaçulat rreth e qark
Edhe pse qe më i miri ndër lojtarët e përzgjedhur
Prapë traineri, në çdo ndeshje, të la ulur në një stol
Nëse kurrë ti nuk u ndale, por qe rruga plot pengesa
E t’i vodhën, e t’i fshehën prapë sukseset nëpër kthesa
Mos harro se çdo njëri
Ka një ditë në jetë si kjo
Se çdo hap që është hedhur, përcjellë vetëm shenjtëri
Po askush si dukët s’gjeti, kohën ta vlerësoi këtë
Se kush erdhi, erdhi vetëm e prap vetëm tej u nis
Për të humbur, për tu tretur tutje si Gilbert Luiz
Që do vdiste pa fituar çmimin që i qe ofruar
E ku emri vit pas viti prapë i shuhej, prapë i prishej,
Zhgarravitur prej jurisë.

Pra në shkrove për tërë jetën e askush nuk ka lexuar
qoftë edhe një librin tënd
Pra nëse ti ke gatuar e pastruar për tërë ditën
për një mik që pate ftuar e që s’erdhi atë natë
Mos harro se universi ka hedh-shtytjen e çengelin
që tërheq se është i ngulur nofullës sate për nën dhëmbë
Pra në pyet përse gjërat kështu bëhen kësaj bote
Ata bëhen nga misioni i një shpirti më të lartë.

Jeta s’shtë një garë makinash
S’ka mundës a fitimtarë
Të mbajmë jetën mes hapësirash
Pika–pika  rrimë shpërndarë.

No comments:

Post a Comment