Friday, March 23, 2012

Kaman Myftaraj - MAGJIA E DASHURISË

 

Kaman Myftaraj

MAGJIA E DASHURISË

Akoma nuk e dimë se çfarë magjie ke
që i bën të gjithë njerëzit të vuajnë për ty.
Me ty jemi gjithë kohën qysh kur lindëm ne,
krijesa e jote e çuditshme, NJERI.
Të gjithë të kërkojnë por shumë pak të gjejnë,
disa japin edhe jetën e bëhen fli.
Për ty thuren vargje, muzikë e këngë,
Për ty më e ëmbla, e madhërishmja ndjenjë,
Me emrin e bukur: DASHURI…
Ti na çon lart në qiell ku dielli flakëron,
Ku Hëna e bukur të lan në ar,
Me ty ne gjithë natën lodrojmë me yjet,
Zjarrin që u ndez zemrave
nuk e shuajnë dot as oqeanet.
Me ty gjithë ndjenjat humbasin në ëndërrime,
Në lëndinat e lulëzuara e burimet kristal,
Me ty edhe ylberet si ura i lidhin zemrat,
I çojnë në parajsën e bukur që ti u fal.
Pa ty asgjë nuk do të kishte kuptim në jetë,
Pa ty as ne nuk do të ishim pranë e pranë,
Pa ty as natyra nuk do lulëzonte vërtetë,
Shkretëtirë e pafund do të ishte anë e mbanë,
Pa magjinë tende, o dashuri e përjetshme
Që na rilind e transformon shpirtrat tanë!

No comments:

Post a Comment