Wednesday, March 7, 2012

Vullnet Mato - DHURATA MË E MADHE



Vullnet Mato

DHURATA MË E MADHE

Ankohemi për tërmete ethesh
që na shkundin në trup,
për thika therjesh përbrenda,
që na kullojnë pika loti.  
Mallkojmë kambanat e dhimbjeve
që na shkallmojnë nga trutë,
pa menduar se dhimbja
është dhurata më e madhe që na jep Zoti.

Ndryshe si do t’i gjenim dëmtimet
nga sëmundjet e padukshme,
nëse te koka, barku, kocka
nuk do kishim dhimbje?
Si do ta kuptonim,
pa na dhënë klithma dhe kuje,
se cila pjesë e organizmit
kërkon patjetër riparime? 

Si do ta merrnim vesh fëmijën
që s’ka filluar të flasë,
për nevojat dhe lëngimet
që e kapin nga dita e lindjes,
pa britmat dhe lotët,
me të cilat i ankohet mamasë,
duke vënë doçkën e vogël
te vendi i dhimbjes?

Si do ta dinim rajonin qelizor,
ku ka hyrë agresori mikrobik?
dhe me vrasje masive
ka krijuar varrezën e qelbëzimit?
Ose ku ka pushtuar trojet tona
dhe na ka vënë jetën në rrezik,
duke fshehur eksplozivin kanceroz
për të pritur kohën e shpërthimit?...

Pra, dhimbja e fortë,
është pasoja për të gjetur shkakun,
paralajmërimi për të mbrojtur
trupin nga përkeqësimi.
Dhimbja është nxitja të lëvizim,
për të shmangur merakun,
alarmi për të kërkuar ndihmën,
ku mund të gjendet shërimi...

Atëherë, kur ne ndjejmë krismat
në sektorin e çdo fronti,
brenda sipërfaqes organike,
apo rreth perimetrit të kufijve,
duhet të brohorasim: Rroftë Zoti,
që na jep dhuratën e madhe të dhimbjes!


No comments:

Post a Comment