Saturday, March 3, 2012

Arjan Th. Kallço - E PAVDEKSHMJA ELENË




Arjan Th. Kallço

E PAVDEKSHMJA ELENË

Elenë, emri yt në shekuj

Kapërcen legjendat dhe prapë
Krenar troket agimeve të qytetërimeve,
Të paafta ta ndalin mëkatin.
Jo se është e pamundur, por
Na pëlqejnë misteret e intrigave,
Pasionet e epshit që kurrë s'u mbush.
Dashuritë kur bujtin s'e përfillin
Rrezikun, inkuzicionin dhe
Sërish bëhen shkak për luftë.
Përballë saj njerëzimi duket
I pafuqishëm, por sapo i mbyllim
Disi plagët, paqja s'jeton dot e vetme,
një tjetër luftë dyert
E egra të ferrit hap. Aty s'ka më mëshirë.
Elen' e Trojës qëndron në ballë, kushtrimi
Ngjiret jehonave mbi bedena,
Prapë për luftëra të reja se djalli
E futi kokën në po atë shishe. E pas
Kasaphanave të gjithë buzëqeshin, krihen
Tek shtiren para pasqyrash të pista
Prej shëmbëllimeve si mbretër të vërtetë
Me kurorën mbi krye.
Duket se askush s'ta ka më frikën,
Kokëkrisura Elen'. Tradhtitë gëlojnë
Thellë në shpirt, me një kënaqësi
Të përkohshme fitoreje, por mbeten po ato
Në fund! E ti je gjithmonë
Dëshmitarja që mbete gjallë...

No comments:

Post a Comment