Thursday, March 22, 2012

Edmond Shallvari - TI THUA JE I LIRË



Edmond Shallvari

TI THUA JE I LIRË

Ti thua je i lirë, mes robërisë së jetës,
Sepse kështu të thonë robëruesit e saj
I lirë je vërtet, të qash edhe të qeshësh
Pa ditur se më shumë, i lirë je të qash.

Sepse i lirë je, të hysh botës së qejfit
Mjafton me firmën tënde, ca karta të nënshkruash
Ashtu kujton se ngjitesh, aty ku ngjiten mbretërit
Pa ditur, o i gjorë, se robërisht do vuash.

I lirë je posi, të shkosh botës përreth
Zhyl Verni të ka bërë gati një balon
Anijen ku të zhytesh, 20 mijë lega nën det
Pastaj të hash e pish, në ishullin misterioz.

Oh, sa i lirë je, a do të vesh në Hënë?
Gati i ka Nasa anijet turistike
Më shumë se vetja e saj, liria të ka dhënë
Aq sa ty të lutet, ta mbash pranë vetes mike.

Çfarë thua, pa thirr, se nuk të dëgjoj qartë?
Nuk ke aq lekë në xhep, qiranë të paguash
Dhe këstin e kredisë, që paske marrë në bankë?
Oh, pse m'i bën të qajnë dhe vargjet që po shkruaj?

I lirë jam edhe unë, më shumë se vetë liria
Ndaj për lirinë time, e lirë qan poezia.

No comments:

Post a Comment