Wednesday, March 21, 2012

Vullnet Mato - MËSHIRË PËR “ATO”



Vullnet Mato

MËSHIRË PËR “ATO”

Prostitutat e lagjes
më shohin me inat,
kur anashkalojnë
duke prishur turinjtë.
Unë s’i kam përbuzur
në jetë time të gjatë,
por s’u kam hedhur
as vështrim të mirë.

Kthej kokën anash,
kur gjinjtë e ngritur
nxjerrin në dukje,
sikur shesin pjepër.
Qoftë vajzë e re ,
apo grua e rritur,
zbulojnë kofshët
deri lart te brekët.

Dhe flasin hapur
me buzë e me sy,
se në mes e lartë
kanë vetëm neps,
thonë pa druajtje
me tule e kërthizë,
se në mes e poshtë
kanë vetëm epsh.

Paçka se zakonisht,
tek shtati i secilës,
shoh shtrat moteli
për bujtës të largët,
që u ndërron klientëve
vetëm kontraceptivët,    
siç ndërron hoteli
çdo natë çarçafët.

Uitmanin kam lexuar,
që i tha një kurve:
“Gjersa dielli s’të përzë,
as unë s’të zboj...”
Dhe qysh atëherë
ato femra plot kusure,
nuk i urrej në thelb,
por as nuk i admiroj.

Ndoshta prostituta
ka dhe qielli në planete,
se shoh shpesh Diellin, 
bën eklips te Hëna,
bën edhe te haremi
rreth e qark vetes,
ndaj besoj se kurvat
dikur do bëhen nëna...

Ndoshta me prostitutat
duhet pirë ndonjë kafe,
jo, t’u jepet leksion
si t’i largohen turpit,
por të kuptojnë si hiqet
litari i fatit prej qafe,
se jeta nuk është treg,
për të shitur trupin.

S’them t’u japim dorën
as me të ëmbla fjalë,
por t’i ndihim pak
sa të mbahen te gishti,
për të dalë nga bataku
me mëshirim social,
se prostitutat i mëshiroi
edhe vetë Krishti...

No comments:

Post a Comment