Friday, March 16, 2012

Flori Bruqi - Ç’RËNDËSI KISHTE E KA GJITHÇKA!



Flori Bruqi

Ç’RËNDËSI KISHTE E KA GJITHÇKA!

Pensionistët flasin
për infarkt miokardi
e parashikojnë fundin
në stolat e parqeve publike
mes glasave të sorrave
mes gjilpërave të përgjakura...
Më ndalin në rrugë
përpara vitrinave të mbushura
xhepat e zbrazur të tyre më pyesin për orën
apo për racën e majmunit
Është tre pasdite,
gjithçka kundërmon vdekje...
E di, është e kotë të kthehem në shtëpi
të shkruaj dhjetë apo tridhjetë e pesë rreshta
Ç’rëndësi ka?!

Poeti në komisariat
ata nuk e dinë
se poeti në komisariat
është torturuar
për mëkatin e bërë:
“Fjalës i kishte dhënë shumë fuqi...”
Fjala vriste më shumë se shpata,
fjala shëronte më shumë se mjalta...
Poetit i duhej dhënë kupa e helmit
të shpejtë apo të ngadalshëm
Ç’rëndësi ka?!

Një libër tjetër
Herët në mëngjes
një vashë rregullon flokët
përpara pasqyrës
në ndërtesën përballë...
Unë mbyll librin “Guximi shqiptar”
e lë mbi tavolinë
ulem dhe hap një libër tjetër.

Intriganti dhe gazetat
Sa të mërzitshëm janë
Intriganti,"Ekspressi", birra e Pejës
femrat, librat, pasqyrat!...
Sa e mërzitshme
është të ulesh e të presësh vdekjen
ndërkohë njerëzia kurvëron,
ha, punon apo bën plazh në det
nën diellin e pistë të kotësisë
dhe nuk e di a do të ndodh gjë,
po nëse ndodh
ç’rëndësi ka?!
                                                                              
Ishte dhembja para dy vjetësh
Poeti Iljaz Prokshi thoshte,
në një poemë
se nuk do të ndalonte së ndjeri
dhimbjen e pritjes së një gruaje,
sepse e vetmja gjë
që do t’i mbetej prej saj,
ishte dhimbja,
Ishte kohë tjetër.
Iljazi, është i vdekur
edhe dashuria e tij po ashtu
edhe ne do të jemi një ditë...
Jeta qenka një përpëlitje
mes të hapjes e mbylljes së syve.
Iljazi gjithmonë donte të rrinte,
po nuk e kishte mundësinë
se i frikësohej vetmisë
kur të varet me puthje në buzë...
Ç’rëndësi kishte e ka gjithçka
kur jetën e plagos çdo gjë?!

1 comment:

  1. Nje poezi me nivel te admiruar artistik, qe i ben nje radiografi poetike ne menyre te koncentruar ndergjegjes shoqerore ne Kosoven e diteve tona.Poeti me metafaora te gjetura mjeshterisht,na pasqyron gjendjen shpirterore te artistit ne apatine jetesore,ku cdo gje qe ndodh rreth tij,nuk ka asnje rendesi per shkaktaret qe e mbajne vendin ne gjendje kaotike. Vullnet Mato

    ReplyDelete