Sunday, July 29, 2012

Vullnet Mato - ZEMRA MANARE

 

Vullnet Mato

ZEMRA MANARE

Ndoshta habitesh
që s’më tërheq trupi yt,
siç m’i korrje puthjet
me draprin e vetullës,
siç më ndizje dëshirën
kur zbuloje gjinjtë,
siç më dehje me erën
femërore të sqetullës.

Ndoshta trishtohesh
mos t’u zbeh bukuria,
që lëkura s’të përcjell
rrymë në lëkurën time,
që nuk i tërbon më
si dikur epshet e mia,
që nuk i gdhijmë netët
bashkë gjer në agime.  
  
Ndoshta kërkon të gjesh
cili qe gabimi fatal,
me cilin akull ma ftohe
gjakun ndër deje,
me cilin breshër dimri
m’i vrave lulet në maj,
cilën britmë lëshove,
si krismë rrufeje.

Dyshon mos ka ndodhur,
ajo që korçarët thonë,
me shprehjen alegorike:
“U njohëm si shumë!“
Por nuk është asnjëra
nga të tëra sa numëron,
pasi nuk shteron dashuria
siç thahet një lumë.

Se pasionin e ndjenjave,
dhe tërheqjen e mishit,
me flakërimin drithërues
të pulsimit të zjarrtë,    
aq sa dhe shenja e fshehtë
me mjekër dervishi,
dukej si Kashta e Kumtrit
që na magjepste çdo natë,

E bënte vetëm zemra, 
që ka dhe fuqinë magjike,
të tjetërsojë gjithë ndjenjat
me vendim kategorik,
t’i japë urdhër absolut
trurit të madhërishëm,
të pezullojë veprimet
në çdo milimetër organik.   

Sepse ti, moj mike,
me natyrë lozonjare,
nuk përdore tërë ndjesitë
e butësisë femërore,
ta bëje me durim
zemrën time manare,
të mos ikte me grigjat
e zemrave njerëzore!...

No comments:

Post a Comment