Kaman Myftaraj
TI MË KTHEN SHUMË VITE PAS
Dëshirë kam të të shtrëngoj fort në kraharor,
Të puth atë gushën borë të bardhë me nishan,
Të të puth dy sytë e shkruar që xixëllojnë,
Të të puth me afsh buzën e kuqe ndezur flakë.
Por ndjej edhe frikë mos vallë turpërohem,
Se nuk jam në moshën e zjarrtë që ti kërkon,
Ndonëse një puthje nga buza jote që prushërohet,
Më kthen shumë vite pas, moshën ma përgjysmon.
Ti je si toka djerrë e tharë, nga dielli përvëluar,
Që do pluguar thellë e vaditur me një lumë të tërë,
Ti je si hoje blete me ëmbëlsirë velëse ngarkuar,
që kullon mjaltë që nga gusha deri nëpër llërë.
Trupi yt si një violinë e bardhë gdhendur me duar,
Me shumë nure bukurie ku burojnë meloditë,
Në shpirtin tim ke ndezur një zjarr të përvëluar,
Më nxit të bëj “mëkat”, sa të zemëroj perënditë.
O ëndërr e netëve që shpesh nga gjumi më zgjon,
O zemra që rreh fort për zemrën time këtu larg,
Ah, të të kisha pranë këto çaste ngarkuar me pasion
Të shijoja aromën tënde femërore e vitet t’i lë pas...
No comments:
Post a Comment