Wednesday, July 4, 2012

Drita Lushi - SOT JAM NJË TJETËR

 

Drita Lushi

SOT JAM NJË TJETËR

Sot ndjehem një tjetër.
Më shihni dhe ju?
Mos ndoshta dielli lindi më heret?!
A ndoshta dita më e bardhë erdh’?

Mos ndoshta yjet m’u puthën me shpirtin?
A  hëna  mbolli ëndrrat në gjumin tim?
I shoh kaq qartë,
i ndjej, sepse mbrëmë ,
pushova në zemrën tënde.

Shoh si më afrohet bota,
si rrotullohem bashkë me Tokën, lehtë,
e me prekje zgjoj dhe planetë te tjerë.
Ej!
Qenka mirë brenda zemrës tënde.
Ej!
Të rri  dhe një natë tjetër?
Pranon?...

Atëherë po rri më shumë,
derisa te mos më lësh më të iki.
Dua të  shkel çdo ditë
rrugëve të zemrës tënde,
të eci zbathur, të ndiej të ftohtin,
të nxehtin.
Dua të më prekin në inde
e t’i prek me jetë;
dua stinët t’i bëj vit brenda teje,
e  ti të jesh vitet e mia të jetës.

Më muros, a më mbaj robinjë,
ose  më jep liri të fluturoj,
po qiell të kem zemrën tënde,
pa re,
pa shi,
me diell,
me dritë!

Brenda teje, jam një tjetër…

No comments:

Post a Comment