Thursday, July 19, 2012

Drita Lushi - BIJA IME



Drita Lushi

BIJA IME 


E bukura ime!
Je bardhësia
e ditës,
ndriçimi yjor je
në netët e errëta;
hëna e plotë,
që fton  nimfat
të dalin,
je fjalët e mia të argjendta
qendisur në zërin tënd.

Ari i shpirtit tim je!

Syri yt,
magjishëm,
më fton të përqafoj
botën;
krahët e tu yjorë,
me çojnë drejt kontinentesh
të reja;
vëshrimi yt, 
më sjell vetë Afërditën pranë,
ëmbëlsia  e zërit tënd,
mbledhur  në petale
lulesh të rralla,
më ëmbëlson jetën.

Kur ti qesh,
flladi më sjell
gurgullimën 
e zërit tënd,
që rrjedh vrullshëm
e  mbush dete jete.
Zemra ime
vlon nga dëshira
për të parë
fytyrën tënde diellore
pasqyruar në
oqeanin  blu.

Unë lundroj
në lumenj buzëqeshjesh,
gëzimi,
bardhësie,
shprese,
ëndrrash,
lumenj diejsh,
hëne,
yjesh...
bashkë me ty,
pafundësisht me ty...

No comments:

Post a Comment