Wednesday, July 4, 2012

Agim Bajrami - GRINDJE NË PARK



Agim Bajrami

GRINDJE NË PARK

Ky park s’do më pëlqejë më   kurrë
Do mbesë gjithmonë  nën hije strukur
Sepse pardje një mostër burrë
E fyu rëndë një vajzë të bukur.

Me sy si dimër i tërbuar 
Sa dhe vetë mbrëmja u shastis
Askush s’u fut për t’i qetësuar
Veç hënës që u fut midis.

Ajo ish bërë një trup me dhimbjen
Dhe nxirrte lot të nxehtë në heshtje
Mbi plagët ku pëllëmbët binin
Pa reshtur dilnin lule vjeshte.

Kjo ngjau brenda disa çastesh
Pastaj gjithçka u tret në terr
Unë nuk besoj se qenë të dashur
Se dashuritë nuk bëjnë kurrë sherr.

Ky park nga sot do mbetet bosh
Se la një vajzë të fyhej rëndë
Ti ke të drejtë mos e besosh
Por kjo do të ndodhi me gjithë mend.

No comments:

Post a Comment