Monday, July 30, 2012

Nexhip Bashllari - M'U PËRFLAK MUZGU IM



Nexhip Bashllari
 

M'U PËRFLAK MUZGU IM
 

Kur dielli ngjitet në zenit,
Ti më shfaqesh buzë gjoli,
S'di në erdhe për freski,
A t'më çmendësh mua të gjorin.

Lërmë pak, moj, të sodis
Atë kurm e ato hire,
Je thëllëzë që më grish,
Të rrëmoj në ca çaire!

Lërmë t'i prek, e lërmë t'i thith,
Me erëmirë shpirtin ta dënd,
Ato dy buzë, e ato dy gjinj
T'u shijoj të ëmblin lëng!

Jam i rrekur që të zbres,
Të ndjek vragën si manar
Ti do ndjehesh mbretëreshë
Dhe unë mbreti juaj, skllav.

Bëmë që të prushërohem,
Të ndjej copëza djalërie,
Të thith erë jargavan
Në petale vajzërie!

Atë çast, kur të gjykohem,
Le t'më quajnë mëkatar,
Askujt nuk i përgjërohem
Në më djegshin dhe në zjarr.

Rri me mua deri vonë,
Mos e merr me aq nxitim,
Se prej teje, moj xixëllonjë,
M'u përflak muzgu tim!

No comments:

Post a Comment