Saturday, July 21, 2012

Thani Naqo - LULJA PA EMËR


Thani Naqo

LULJA PA EMËR

Aman, më thuaj, ç’të bëj me ty,
Lule e Hershme më mbive në zemër.
Ditën që çele u puthëm të dy,
Dëbor' e pabesë të la pa emër.

Lulet pa emër edhe sot i ndjej,
Arom' e tyre ndjek hapin tinëzar.
Siluetat, si tënden, më thëthijnë përtej,
Lodrim’ i pulpëve në çdo trotuar.

Lulet pa emër ndezin marrëzinë,
Por unë s’ di ç’ta bëj vegimin tënd kristal.
Ta mbjell diku në ndonjë lëndinë,
A, bebëzës të syrit, t’më mpikset lotmall.

Aman, më thuaj, ç’ të bëj me ty,
Lule e Hershme më mbive në zemër.
Ditën që çele u puthëm të dy,
Dëbora e pabesë të la pa emër

No comments:

Post a Comment