Thursday, July 19, 2012

Raimonda Moisiu - FATI IM

 
  
Raimonda Moisiu

FATI IM

Fatin tim…
E kërkoj,
mes nostalgjisë e fluturimit, nëpër
hapësirën e qiellit, që është
aq e madhe, sa e madhe është edhe
dashuria....

Dashuria!
Ajo vështron lumturinë e saj,
në petalet e trëndafilave, që
bien në livadhin e blertë,
duke zgjuar ndjenjat e mija,

që unë ia dhuroj të dashurit tim, nën
dritën e hënës, nën
kaltërsinë e qiellit, nën
vezullimin e shandanëve.....
Ia dhuroj çasteve të papërsëritshme,
nën puhizën e natës.....

Fatin tim,
E kërkoj, në hapësirën e duarve të mija,
me to mbjell filiza, nën shkretëtirën
e palagur, në bahçen e jetës,
për një tjetër lindje.....

Fatin tim,
E kërkoj,
tek vështrimi i një burri,
që ndesh në rrugë,
me buzëqeshjen time të pafaj......
Për të rrëmbyer zemrën time, duhet
një vështrim, që
mezi përmban klithmën e buzëve.....

Fatin tim,
E kërkoj,
në mitrën e hënës,
në agimin e mëngjesit,
të dëgjoj zërin, vetëm një zë,
të më grishë të end memorien...

Dashuria ime
të më ftojë,
të më rrëmbejë si një shtjellë ere ekuatoriale,
E të bëjmë dashuri.....

Fatin tim,
E kërkoj,
në një mëkat;
në mëkatin e bashkimit të buzëve;
në përqafimin e nxehtë, të vrullshëm,
nga krahët e ngrohtë....

Fatin tim ,
E kërkoj,
në urën që çdo natë,
ecën si një alpinist drejt lartësive,
mesazhi i dritës, jetës, dashurisë...

No comments:

Post a Comment