Thani Naqo
VALO TROPIK!
Valo tropik! S'lëviz një gjethe,
Zogu i Borës më ndjell për rrugë.
Mbrapa lashë diellin, oqeane e dete,
Për hije të grizuara e burime me ujë.
Valo tropik! Mos ma shprish,
Ëndrrën nën palmën si krahë shpendore.
Misteri i mbrëmjes më largon e grish,
Stërnishtën e florinjtë nën re puplore.
Valo tropik! Pres erën e marrë,
Me avull oqeani le t'më përzjejë.
Vlagë të mbetem në pyll e arë,
E thundra e kaut le të më shkelë!
Valo tropik! Lëkurën ma trashe,
Ngjyrën ma ndrove në çokolatë.
Në më lëpiftë ndonjë mulate,
Për hatër të saj do kthehem mjaltë...
Valo tropik!... Qielli pa re,
Klorofila e tkurur harroi të marrë frymë.
Turfëllon e shfryn mbi mua një dre,
Pylli i tij i brirtë hedh borë e brymë...
No comments:
Post a Comment