Thursday, July 19, 2012

Vjollca Tiku - I KËNDOJ DASHURISË



Vjollca Tiku

I KËNDOJ DASHURISË

Në bashkun e ditëve plot nur ,
endet fija e ndjenjës së artë,
drugëza e jetës vezullon ,
kur dy trupa përpinë njëherësh frymën e zjarrtë.

Dashuri je :

Një lëndinë me petale trëndafilash ,
një jastëk me frymë bilbilash ,
një jorgan nga bërthama e diellit ,
një çarçaf i lagur nga sytë e qelqtë të hënës.

Je një gjethe shkreptime në udhët e hapësirës,
dritë petash margarite në korridoret e ditëve,
mulli ere që bluan farat e ndritshme të hambarit ,
maja e brumit që vjen nga shkulmi i ëndrrës së engjëllit.

Je një kalë me jele ari ,
me krifë të krehur prej engjëllit të zjarrit ,
me sy fërgëllues që përplasin shkëndija,
kalëron lugina toke dhe qiell që lë prapa vija.

Je një zemër reje e kupolës qiellore ,
që derdh shiun qelibar ,
në arën e farës njerëzore ,
je vetë lënda e përbërjes së jetës ,
bashkëshortësi e orakullit të vjetër.

No comments:

Post a Comment