Angjelina K. Bardhaj
MIKPRITJA
Sot dua ta shkul zilen mbi derëpritjen,
Orenditë moderne dua t’i copëtoj e gris,
Për tepih t'i shtroj mirë qilimat e gjyshes,
Dhomën e pritjes në odë burrash ta ormis.
Kam mall, që të dëgjoj trokun e gjogut,
Hingëllimën në ndalje para portës së lartë,
Krenari triumfale të përcillet si ngjarje,
E ngazëllyer, hap e krah portat t‘i hapë.
Të dëgjoj zërin pushkë kur kërcet për gëzim:
"O i zoti i shtëpisë, ke oxhak të ngrohtë për miq",
Kulla rritet, i mbijnë flatrat e aromë mikpritjes
Gjithkah flakëron dritëbardha nga veshja me tirq.
Zemra për një moment ngazëllehet shumëfish
Nga një det dritash shpërndarë para syve të mi ,
Le të rritet dëshira që kam në zemër pafund,
Errësirën që më ka përfshirë ta kthej në lumturi.
Mikpritjen shqiptare ta shikoj si dhunti dhe mrekulli!...
No comments:
Post a Comment