Friday, August 10, 2012

Ymer Nurka - DYZET STOLITË

 

Ymer Nurka

DYZET STOLITË

Dyzet shkallët e mermerit, bo bo duhen ngjitur!
Mos më lerë në pik të vrerit, në ke për t'më pritur.
Po të jap fjalën e nderit, kur të jem gostitur,
Dyzet sumbullat e sheqerit, kam për t'i gëlltitur.

Mjaft m'i tunde mjaft më site, atë soj të miellit!
Dyzet sërë me mexhite, vënë rrotull belit,
Natën mike seç ma ndrite, porsi drit' e diellit,
Seç m'u qepe, seç m'u ngjite, ah moj këngë e gjelit!

Dyzet sërë margaritarë, përmbi gushë rënditur.
T'i numërova me radhë, gjersa më të ndritur.
Ulu rri si më të parë, e jo më të ngritur!
Prehri im nuk ka të sharë, mike për të pritur.

Dyzet kinda t'i kish linja, e bukur si pallua.
Ah sikur mike ta dinja, se erdhe për mua!
Hëngra mjaltë e dot s'u nginja, brenda n'atë zgjua.
Floku im nuk ka më thinja, trupi m'u rinua.

Përmbi sy dyzet qerpikë, vënë mbi çdo qepallë.
T'i numërova me frikë, mos të prekja ballë.
Rridhte loti pikë-pikë, dot s'e shuan mallë.
Ngjitet buza çika-çikë, shtatit valë-valë.

Dyzet orë ndenja mike, si dyzet dekikë,
Dyzet ëndrra seç m'i fike, dyzet bëre dritë.
Më le peng prej asaj dite, mbi dyzet stolitë.
Dyzet hapa ja më ike, dot s'të thirra - Pritë!

No comments:

Post a Comment