Vjollca Tiku
PETKU I DASHURISË
E veshur me diell,
je ngrohtësia,
e veshur me hënë,
je shkëlqimi,
e veshur me puplajën e kaltër,
je fluturimi,
në kopsat ajrore,
je buzëqeshja,
në krahët e erës,
je ëndrra,
në nuancën e ndezur të polenit lulor,
je bukuria,
në yllin e parë të mbrëmjes,
je puthja,
në yllin polar të mëngjesit,
je vesa,
në valët e detit,
je pulsi,
je aurora e agimit njerëzor.
* * *
Pa ty dashuri,
Dielli do ngurtësohej,
hëna do ish e zezë,
yjet do fundoseshin në një kupë hapësire,
për të rilindur në tjetër galaktikë.
Flaka e bardhë e dritës
do shuhej,
nata do shpërthente
mina shtëllungash errësire.
Pa ty dashuri jeta do flinte pa zgjim,
ndaj ti je mjalti i hojeve të dritës...
No comments:
Post a Comment