Friday, August 3, 2012

Skënder Rusi - MACJA E EGËR



Skënder Rusi

MACJA E EGËR

Dua të të dua prapë,
po s'mundem!
Ti je kthyer e gjitha në një tjetër!
Nëpër hone humnerash
do pranoj të puthem,
Por jo më me ty, macja ime e egër!

Dhe në se rrëzohem
vetë do të ngrihem,
S'i lutem askujt,
ty-aq më tepër!
Varka ime ecën,
drejt deteve më shpie,
Por jo më me ty,
macja ime e egër!

Unë edhe mund të mbytem,
atje, në ata dete,
Mund të ndodhë sot,
mund të ndodhë nesër!
Do të jem pastaj
një dallgë më vete,
Por jo më me ty,
macja ime e egër!

Do të t'i marr ditët
që jetuam bashkë,
Do t'i fsheh, që kurrë,
mos t'i gjejë një tjetër!
Por në dashuri
nëse bie prapë,
Veç me ty do bie,
macja ime e egër!

No comments:

Post a Comment