Vullnet Mato
DËGJOJ HESHTJEN E GJELBËR
Mes pyllit të freskët,
te heshtja e gjelbër,
ndjek këshillat e saj
për shërimin e vapës.
Dielli lëmshin e artë
në zenit ka shpleksur,
për të vonuar vrapin
drejt muzgut të natës.
Dhe i nxehur që hyra
në skafandrin e hijes,
vërtitet rreth degëve
me foletë e vezëve,
të gjej ndonjë të çarë,
të më zbrazë mbi krye,
markuçin e presionit
përvëlues të rrezeve.
Një laraskë llafazane
çirret:“Ça-ka-ra-ka-çak!,
thojuni, moj laramane,
të gjitha motrave tona,
të vijnë shpejt këtu
të shohin ç’bën një tuhaf,
që në çarçafët e letrave
shkon varg milingonat!”...
Një bletë po zukat
të shuaj flakët e zjarrit,
mbi lulet kuqaloshe
të një shege të egër,
teksa zhapiu i gjelbër
çan dallgët e barit,
i frikësuar nga luhatjet
e akrobatit ketër.
Orkestrina e bilbilave
po akordon violinat,
në tonalitetin çuçuritës
që shpirtrat shëron,
merimanga te shilarësi
me thurjen e imët,
kërcen aerobi nën ritmin
që e shoqëron.
Një trung i prerë,
mbuluar me hithra,
vajton që s’ka degë
të këndojnë zogjtë,
po në zgavrat e tij
shpojnë kandrat brima,
të shkarkojnë farëzat
për dimërimin e ftohtë.
Teksa pylli drithëron,
nga shushuritja e freskët,
unë dëgjoj heshtjen e gjelbër,
mikeshën time të vjetër...
No comments:
Post a Comment