Sunday, August 12, 2012

Kaman Myftaraj - PRES TA SHUAJ ATË MALL



Kaman Myftaraj

PRES TA SHUAJ ATË MALL

 
Roje do të doja të isha te pragu i portës tënde,
të të përshëndesja sa herë ti del e brenda hyn,
duke shpresuar se dikur do më thoshe me ëndje:
Eja pra brenda, ç’pret, hyr pash perëndinë!?...

Eh, në ato çaste zemra ime e shkretë do lëngonte,
duke të pritur e përcjellë ty me buzëqeshje çdo ditë,
dhe pa trokitur do hyja me gjithë armatimet e rojes
e vjedhurazi në shtratin tënd do të zhytesha si trim.

Do të të ledhatoja lëkurën si mëndafsh i artë,
trupin e bukur të lakuar si e magjishmja violinë,
do të të puthja me afsh buzën karafil të zjarrtë
do t’a gdhija gjithë natën, duke lodruar me ty.

E çfarë nuk do të bënim ne, atë natë magjike,
kur hëna të na mbulonte me vellon e saj të argjendtë,
dhe yjet zënë dorëpërdore, si valltarë në çaste lirike
mbi trupat tanë të djersitur do të na linin pa mend...

Agimi do të na gjente të zënë gushë më gushë,
Të lodhur nga loja dehëse e një nate të gjatë,
dhe dielli i sapodalë me etjen e zhegut në fushë
të na pinte djersët e të na jepte fuqi të zjarrtë.

Pres, eh, sa shumë pres që ta shuaj atë mall!...

No comments:

Post a Comment