Friday, August 24, 2012

Nexhip Bashllari - ATË VERË NË GRUNORE



Nexhip Bashllari

ATË VERË NË GRUNORE

S’di nëse e sjell ndërmend
Atë verë në grunore,
Unë çapkën e ti gjithë shend
Rrokur ishim dorë përdore,

Dorë përdore ishim rrokur,
Luanim lojëra gishtërinjsh,
Nëpër dallgëzime flokësh
Ngatërruar çmendurisht.

Më pastaj, në shtrat të shtruar
Mbi pollogje radhë-radhë,
Ndoqëm diellin miqësisht
Tek kalonte për matanë...

Dhe me ledha ledhatuar
Flok, gushë, gji e llërë ,
Adrenalina shpejt po rritej,
“Loja” jonë kërkonte hënë.

Ja, pas pak, doli dhe hëna
Buzëqeshur ëmbëlsisht,
Kur ne njësh puthitur zemrat
Dhe frymëmarrjet sigurisht.

Dhe pastaj, me lojë e qesh,
S’ndjemë kur këndoi këndesi,
Për atë lojë na u desh...
Të na zinte dhe mëngjesi.

No comments:

Post a Comment