Edmond Shallvari
NJË ZË NGA PLANETI MARS
Pak më parë një satelit zbriti në Mars
I pari vizitor, nga Toka nisur
Bashkë me gëzuesit, gëzoj këtë çast
Loti s'më pyeti e doli papritur.
Thua të jetë kaq mikpritës planeti?
Thua me heshtjen e kish' bërë ftesën?
Tokësorja çapkëne, mikpritjen e gjeti
Dhe tash me Marsin ka filluar drekën.
Ç'të them, veç të ngre një dolli urimi
Për mendjen njerëzore, që takon planetet
Po pse këtë çast më kap dëshpërimi
Tek shoh njerëzimit, sa pak gëzim mbetet?
Tek shoh e dëgjoj, se dikush, këtë çast
As botës tjetër, nuk mundi ta marrë
I vrarë diku, me mjetin barbar
Atë mjet barbar, që ndër shekuj ka vrarë.
Tek shoh e dëgjoj se diku, këtë çast
Vriten e theren, për një grimcë Tokë
Një zë më vjen nga planeti Mars:
"Mos e shëmtoni, më të bekuarën pronë!
Atë pronë që Zoti dhuratë ju a dha
Dhe ne përreth na bëri ziliqarë
Le të kishim atë jetë, që Toka e ka
Por jo atë jetë, që njeriu ka vrarë.
Mos u bëfshi si mua, si ju mos u bëfsha
Dhe pse jetën e dua, më mirë u shpërbëfsha!"
No comments:
Post a Comment