Tuesday, September 18, 2012

Vullnet Mato - VIZITOR I PËRGJËRUAR






Vullnet Mato

VIZITOR I PËRGJËRUAR

Ika në moshën e re
nga qyteti im i lindjes
dhe sa herë vij këtu
ndjehem përsëri djalosh.
Dua të hy në det si xhindi,
pa aguar rropama e lëvizjes, 
të numëroj sa peshq
do më kenë hyrë në kosh.

Pastaj të mbaj frymën
pesëdhjetë metra nën ujë,
për të parë ku përgjumet
ndonjë oktapod i fshehtë
dhe kur zemra gjoksin
të më godasë me bujë,
të dal në sipërfaqe
porsi delfin i vërtetë.

Harroj vitet që shkuan
dhe dua sërish,
gjithë muret t’i shkruaj
me thëngjill të zi:
“Do bëhem shofer,
do bëhem artist!”
Duke parë ëndrra
me fluturime në liri.

Të vë kokën te jastëku
i gjoksit të nënës,
ku mbështeteshim 
të shtatë fëmijët pas buke.
Ajo të na lëmojë kryet  
nën dritën e Hënës,
si qenie mitologjike
me shtatë kokë mbi supe.

Dua të mbledh sërish
shokët e parë të moshës,
për t’i rënë me not
gjysmëhënës blu të qytetit,
pastaj para gjithë djemve
dhe vajzave të shkollës,
kush del i pari ta shpallim
“Dashi i detit”

Të shkoj natën te Rita
nën degët e fikut,
ta puth i limaksur,
sikur më ndjek hataja.
Ajo të më mbaj dorën
te fija e llastikut:
“Aman, mos m’i hiq,
se më rreh mamaja!...”

T’i them me nxitimin  
e dashurisë në këmbë:
“Mos ki frikë, moj shpirt,
se ti më ke mua,
sa të zgjatem edhe pak,
ndonjë pëllëmbë,
vij te shtëpia jote
dhe të kërkoj për grua...”

Kur padashur shoh veten
në xham vitrine,
kthehem nga përfytyrimi,
në realitetin konkret, 
kujtohem se ujërat
nuk kthehen në burime
dhe bëhem vizitor
i përgjëruar për këtë qytet.   

No comments:

Post a Comment