Vangjush Ziko
DY POEZI
NË ATO DALLGË OQEANI
Në guaskën bosh të një molusku
E ndjeva dallgën e oqeanit.
Ta pi i vura unë buzët
Porsi në buzët e filxhanit.
Një pikë loti shkau lehtë.
Dy syt' e tu të kaltër qanin.
E ndjeva se si ty në zemër
Të dallgëzohej oqeani.
Mblodha në guaskë të moluskut
Lotët e syve të tu që qanin.
Edhe e ndjeva si u mbyta
Në ato dallgë oqeani.
VETËM AJO QË DHEMB
Pika e ujit rreh mbi gur
Gjersa t' i hapë vetes varr.
Vesa e majit bëhet zhur,
Thahet më parë se sa ra.
Gëzimet ikin edhe shkojnë.
I marrin ditët me vete pas.
Vetëm ajo që dhemb gjithmonë
Në zemër bën folen' e saj.
No comments:
Post a Comment