Wednesday, September 26, 2012

Vullnet Mato - SHKRETIMI QË LE PAS



Vullnet Mato

SHKRETIMI QË LE PAS

 
Tani ai qytet
nuk ekziston më në hartë,
e përpiu dheu papritmas
brenda në thellësi,
apo e ka mbuluar
vërshimi i lumit me baltë,
nuk dihet ç’ka ndodhur
me ekzistencën e tij

S’ka më rrugë makinash
që më shpien aty,
s’ka më stacion që më pret 
me trenin e mbrëmjes.
S’ka më dyer e dritare
që më kërkojnë me sy,
të gjitha janë mbyllur
me llozin e mosqenies.

Ikja jote e ka zhdukur 
krejt atë vend parajse,
ashtu si cunami e tërmeti
rrafshon një territor të gjerë,
aq sa të mos mbeten
gjethe e zogj në cijatje,
të shtrihet për mua
vetëm një rrafsh djerrë.

Kjo fuqi katastrofike,
s’më kish shkuar as në mendje,
të shkulje gjithë hapësirën
bashkë me veten tënde!...

No comments:

Post a Comment