Monday, September 10, 2012
Ina Kocaqi Xoxa - HERËT NË MËNGJES
Ina Kocaqi Xoxa
HERËT NË MËNGJES
Herët në mëngjes i laj sytë jo me ujë,
por me vesën e freskët të dëshirave
që t’i kem gjithmonë përpara syve
nëse gjumi i ka rrëzuar rrëpirave.
Pastës së dhëmbëve i shtoj pak krem optimizmi,
të djegë toksinat e natës ushqyer nga pesimizmi,
kollitem mirë të nxjerr ç’kam gëlltitur dje,
që zemra të lehtësohet, të ndjehet më e re.
Nuk shihem në pasqyrën e murit por në atë të imagjinatës
dhe kënaqem me shëmbëllimin që më jep ky trill i vjetër.
Ja, unë e vogël vrapoj monopateve me dore përshëndes diellin,
thërras shoqet matanë gardhit të shkojmë të valëzojmë detin...
Me krehrin nuk stiloj flokët, por shpleks lëmshin
si turrë fijesh ankthi e shqetësimi në trurin tim.
Dhëmbëzat e krehrit e shpërndajnë në mijëra fije flokësh
që vërshimi i erës ta shtyje drejt rrugës pa kthim.
Hap dritaret kanat të hyje drita e mëngjesit,
shpalos kartën e planeve te thurura natën,
nëse nuk duken te qarta në dritën e diellit,
kanë qenë të demonëve, jo të engjëjve të qiellit.
Kur thith kundërmimin e fëmijëve që akoma flenë,
nga lule e tharë, bëhem trëndafil me fletë.
Pas këtij rituali mëngjesor i bashkohem turmës
askush nuk e di ç’mund të sjellë një ditë e re.
Nëse ndodh që të këqijat të fitojnë mbi mirësinë
kur të kthehem në shtëpi, përjashta do i le...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment