Vullnet Mato
MBURRJE E DËSHPËRUAR
Moj grua, nga shtrati im qëkur ke ikur,
s’më adhuron si atëherë kur flinim të dy.
Kujton se të gjithë zjarrin ma ke fikur,
duke lënë tek unë vetëm një tog me hi.
Po nuk di se burri hirin e ka prej lisi,
ku flenë brenda ca gdhenj me prush.
Pak po i fryu era e një tjetër shpirti,
djeg një pyll të harlisur me gëmushë.
Kur flinim në prehër të njëri-tjetrit,
mbushej shtrati cicërima e luleshqerra,
gjoksi im erë bliri, gjoksi yt aromë pjepri,
ndarja e shtratit, na ndau dhe zemrat.
Tani më vështron me mirëbesim të qetë,
sikur unë s’kam fare magnet për të tjera.
Po mos fli në ato pupla sigurie aq lehtë,
se ujku i vjetër tërbohet kur sheh shqerra.
Më vjen në shteg një milore e përvëluar,
gjoksi i saj edhe gurëve u shpërthen xixa.
Me bishtin e syrit ajo pikon zjarr për mua,
kur ti në shtratin tënd end gjumin me shtiza.
Para saj unë bëhem mashkull për hekura
dhe nuk mbahem dot as me litar konopi.
Ti që përcjell tek unë ndjenja të vdekura,
do shohësh se te cila portë bën gola topi?
Po unë i ziu kam rënë në hall të madh,
se di që nuk ke puthur burra të tjerë.
Keq të tradhtohesh ti në moshë të lartë,
keq unë të mbetem pa puthje si i mjerë.
Tani mezi ruaj vetëkontrollin, moj grua,
prandaj mos fli veçmas me siguri e besë!
Se burrat deri te varri janë të dëshiruar,
të derdhi lot për ta dhe një tjetër syzezë...
No comments:
Post a Comment