Skënder Rusi
VDEKJA E FSHATIT
Rrugë të ngushta
ku s'shkelin më njerëz,
Porta të ndryshkura
nga mos hapja!
Të vdekur që lëvizin
si shira të verbër,
Brenda një tuneli
që i mungon dalja!
Bari s'ka frikë se mos e shkelin,
Dhe zgjat kokën, atje, midis gurëve!
Nëse ai prej kohësh
i zverdhur mbeti,
Kjo ka ardhur nga zgjatja e muzgjeve!
Të rinj që ecin e s'të përshëndesin,
Vajza që s'e kthejnë fare kokën!
Unë jam këtu, ku më vunë emrin,
Ku qava sa e pashë botën!
Ku prapë do vij herë pas here,
Të gjej këtu hapat e humbur!
Të shoh si e kanë dënuar me vdekje,
Këtë fshat
me varre kaq të bukur!
No comments:
Post a Comment