Kaman Myftaraj
HERË MË THUA PO, E HERË JO
Herë më thua po e herë jo,
Në minorin e ëmbël e në maxhor,
Më mahnit kur luan piano,
Kur lëviz gishtat me elegancë,
Mbi tastierën e qëndisur,
Me të zezë e me të bardhë.
I ngjit shkallët gjithë “vrap”,
Një nga një e tri nga tri,
Herë bemol, herë natyral,
Herë djathtas, herë në të majtë,
Herë maxhor e herë minore,
Kur luan Hymnin e Dashurisë.
Herë më thua po e herë jo,
Në minorin e ëmbël e në maxhor,
Bukuria jote prej ëndrrës më zgjon,
Të vij pranë teje e të këndojmë.
Me notat e shpirtit si yje prej qiellit,
Qëndisur pentagrami me arterie ndërtuar,
E thurëm bukur Himnin e Dashurisë,
Që shpirtrat e trazuar qetëson tek të dy,
Në fund një mbyllje me akorde septimë,
Dhe një tufë trëndafilash mbi piano për ty!
No comments:
Post a Comment