Saturday, May 18, 2013

Vullnet Mato - U DESHËM E U HARRUAM
















Vullnet Mato

U DESHËM E U HARRUAM
              (Ndarjeve fatkeqe të emigrimit)

Dikur ne bashkë
kishim lidhur shpirtin,
si Romeoja që dha jetën
për Zhulietën,
si Helena që dogji Trojën
për Paridin,
madje edhe më fort
se ndonjë tjetër...   

Po ku na shkuan
ato mijëra puthje?
Mos i bëri era gjethe
për të gjelbëruar,
pyjet dimëror
të ahishtave diku tutje
dhe la për ne
vetëm shelgun e pikëlluar?

Ku na perënduan
tërë vezullimet diellore,
kush na e akulloi
frymën rinore në gjoks?
Kush zbrazi mbi ne
ngarkesat e reve qiellore?
Nga foletë e zemrave
kush na përzuri zogjtë?

Nga na erdhi befas
ai mallkim i zemëruar,
që të rrëmbeu ty
largësive të emigrimit,
ndau shpirtrat tanë
me bisqe të gjelbëruar
dhe la mes nesh
kobin e zi të harrimit?...

E djeshmja jote
mbeti dëshirë e dështuar,
e sotmja ime mbeti vetmi,
pa frymën tënde,
e nesërmja do mbetet
ëndërr krejt e harruar,
pasi emigrimi mëkatar
na veçoi në dy vende...

Eh, ndoshta dikur
do afrohemi sërish në jetë,
për të rikujtuar

atë shpirtlidhje që u zhbë,
por atëherë mbi krye

do na jenë ulur retë,
ose udhëve të kësaj bote
s’do të shihemi më…

Ndoshta fati ynë,
me të tillë largësi ishte thënë:
ti të dashuroje një copë Tokë,
unë një copë Hënë...



No comments:

Post a Comment