Sunday, May 12, 2013

Drita Lushi - IK NGA KY FERR!
















 Drita Lushi
 
IK NGA KY FERR!

Je vyshkur, edhe pse moshën e lules ke;
ngjyrat t’janë zbehur pa ardh’ akoma
vjesht’ e viteve të tua.
Mundohesh të mbulosh me pudër
zhgënjimin,
dhimbjen,
lodhjen …
Ik nga ky ferr!
Trupi yt i bardhë, si skulpturë e ngrirë,
ndanë semaforëve të kuq,
ndalojnë e ndalojnë pa pushim
të babëziturit e skulpturës tënde.
Dhe sa të tjerë do të presësh?!
Dhe sa të tjerë do të vijnë?!
Ik nga ky ferr!
Trotuaret mat me hapa, tutje - tëhu,
dhe nata e i ftohti,
semaforët dhe i nxehti,
janë miqtë e tu.
Bëj mik vetveten!
Ik nga ky ferr!
Paratë t’i hodhën ndër këmbë
e pështynë mbi ty dhe mbi to,
bënë ç’deshën me ty,
qenie e brishtë.
Vallë u lumturove që munde të blije
peliçen e shtrenjtë?
Do mundet dot ta mbulojë ajo
trupin tënd të lodhur?
Do munden paratë të ujisin
shpirtin tënd të tharë për dashuri?
Largoju ferrit!
Përqeshi trotuaret,
semaforët,
dhe ndërto një kopsht
me djersën tënde.
Mbill, një jetë e re.
Është gjithmonë e mundur.
Duhet!
Mos hiq dorë!

No comments:

Post a Comment