Sunday, May 19, 2013

Fatmir Terziu - TRI POEZI
















Fatmir Terziu

PEIZAZH

Mos më thuaj që nuk i ndjen pikat e ujit
mbi xhamin e grithurrur të dushit
kur trupi thërrmohet shkumë. Shkrimi
është vetëm një përkundje
në djepin e memorjes që përkund
hijen e gjysëmhënës që ngutet
të kaltrën hapësirë të qafojë.

Kjo ngrehinë prej shiu është angari
një meteorologji e pastacionuar
shndërron në ujë dhembjen
bulëzimin e shiut e kthen në Diell
pra është lot që të përhumb
në hungërrimën e pafajsisë
tejdukshëm pas xhamave të padukshëm.

Pena nuk është veç për të dhuruar
të bardhat germa. Hutuar
fletëpalosja e gjumit verës së dehur
i bashkon mes vetes figurat
më në fund për të mësuar
leksionin e jetës pa auditore
në leximin e galaktikave të lagura...


PLUHURADHË ...
... ose pluhur (në) radhë


Kur ajri ndriçohet duket e varur. Hija
grimore e pluhurit në astarin e zinxhirtë
flotë ajrore e ikjes së mundur
pluhuriza është vetë hija e dritës
imazhi i saj një objekt
terr i ngordhur tështitës
grimi netor i shkëlqimit që vret.

Hija e saj zbriti në pjatën e supës
si një paralajmërim ndaj lugës.

Belbëtar mbeti tasi im i vjetër
mbi buzët e Dantes, Petrarkës
në dhomën ku flejnë tufa letrash
montazh
pa penë, pluhuradhë..., asgjë
artificial
mbi një ushtri kokrrizash. Gdhë
me pikla të brushta melase
natyra e pluhurit
esenca e tij fluturuese, zbritja
mbi supën e tjetrit... Plase!

Hija e saj më zbriti në pjatën e supës
si një paralajmërim ndaj lugës.

Diçka nga tërë kjo pluhuradhë
hartën e fjalës e ndot
vargjeve urdhërohet, por jo e tëra qaset,
tashmë kur pluhujt janë në garë
me mijëra numërohen rastet
po s’ia dolën mbarë vetë pluhujt,
hijet e tyre me siguri janë në ballë!

KISHA MENDORE

Edhe kokërrza majëngritur e qershizës. Tekanjozet
kur buzkat e saj lëmohen nga gjitoni filizgritur
harron zogjtë e trishtimit
që lanë kufomën gjysëmbërthamë të çukitur
pema e shenjtë që shpie dashuri musht
varet në cepin e një pjate të sheshtë
pa degën e saj filiz kokrash lëmashe grushtë.

Buzëqeshja e hirshme përlag tërë Gjolin
braktisur nga shkallët e kishës mendore
gjendja e paqtë me qershizën e solli
të rishkruhen vargjet përkore.

Kujtimet bien si gjethe qershie
mbi fletën me panjë të Eseninit
pena thurr art me kokërrzat tespie
qershizë kokërngritur mbete poshtë Blinit...

Në trotuarin e pakuptimtë të sorrollatjes
ëndërrat e së nesërmes udhëtojmë diet
hapen dritaret prej trullosjes përshfaqet
asnjë melhem nuk vjen vet
në tasin e mbushur me qershiza
perceptim i frikshëm tulatet
ku ngushten të qasen veç dy miza.

Kujtimet përfjeten tutje mbi Gjol
... më kot turrem ti zgjoj...

No comments:

Post a Comment