Skënder Rusi
ÇAST SUREAL
Të dy jemi ulur përballë
edhe heshtim,
Dy kafe po ftohen
e s’po i pi asnjëri!
Vjedhurazi ia hedhim sytë
njeri-tjetrit,
Ti s’je këtu e tëra,
unë
s’jam këtu i tëri!
Unë ende s’e marr vesh
nëse jemi vërtet,
Apo e gjithë kjo,
nga truri im ka dalë!?
Nëse është i vërtetë ose jo
ky mëngjes,
Apo ne të dy jemi surrealë!?
Të dy jemi ulur përballë
edhe heshtim,
Ti si murgeshë,
unë si murg!
Kurrë s’kemi ikur më larg
njeri-tjetrit,
Sesa në këtë mëngjes absurd!
No comments:
Post a Comment