Friday, November 16, 2012
Vullnet Mato - KOKRRA E RËRËS
Vullnet Mato
KOKRRA E RËRËS
Kokrra e rërës ishte mal
nga më të mëdhenjtë.
Në mijëvjeçarët e parë
mbrëmjeve zgjohej ylli.
Në shtratin e dëborës
zgjoheshin përrenjtë,
dhe fëshfërinin gjethet
teksa këndonte bilbili.
Te kokrra e rërës çelnin
lulet vigane të pranverës,
bletët e lashta në guva
mbushnin hojet me nektar,
mjaltin parahistorik,
lëpinin të egrit njerëz,
që shalonin dinozaurët,
mbi shpinat pa samar.
Te kokrra e rërës luanët
dhe tigrat këmbëshpejtë,
ndiqnin tufa antilopash
dhe drerë të degëzuar.
Shpellarët mishngrënës
shponin derra me shigjetë,
derisa ngrinë nga akullnajat
dhe vullkanet i fosilizuan.
Tërmetet dhe aluvionet
gërryen malin në kohëra,
rrokullisën shkëmbinjtë
tatëpjetave pak nga pak.
Derisa u shkërmoqën
në thërrime rëre të vogla,
për tu shkelur me këmbë
nga miliona njerëz më pas.
Kësisoj njeriu i rrënjosur,
me shumë bëma dhe vepra,
mbetet mal madhështor
në kujtesën ku vërtitet bota.
Ndryshe nga njeriu kuturu,
kokrra e rërës është mbetja,
pasi koha e ka rrokullisur
në gremina fjalësh të kota.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment