Friday, November 23, 2012

Skënder Rusi - DASHURIA



Skënder Rusi

DASHURIA

Një ditë e ndjeva se më mungonte dashuria,
Kish dalë prej meje,
Ishte arratisur!
E pyeta veten, ajo mblodhi supet,
- Gjej tjetër-më tha-kjo të ka ikur!

U nisa i dëshpëruar për tek sheshi i brengave,
Dhe rrugës takova një njeri gri!
- Dashuria ka vdekur,-më tha,
- S'e ke marrë vesh?!
As kufomën e saj s'e gjen dot tani!

Më tej takova një të marrë,
Që pllakat e trotuarit i numëronte me zë!
-Dashurinë-më tha-e kam parë në varr,
Jam gdhirë një natë të tërë me të!

Më në fund më doli përpara një fëmijë,
Ndoshta, fare kot atë e pyeta.
- E kam parë në qiell-më tha ai,
Atje ku rrinë dashuritë e vërteta!

Po ti, merre timen, më tha pastaj,
Mua më jep prapë Zoti Krisht!
Që atëherë shpirtin e atij fëmije unë kam,
Dhe dashurinë e tij, natyrisht!

No comments:

Post a Comment