Koço Sterjo
PRANVERA E SHPIRTIT
Nj'e ndritshme tutje-tëhu
Më derdhet gjer përmbi gju-
Hën' e flokëve të tu
Më bie në det të shpirtit.
Pigment' i syve të tu
Më huton e më bën dru,
Vallëzon në qiellin flu,
Më bleron në gjeth' të shpirtit.
Dy ftonj n'atë kraharor
Gjumin ma ndjellin me zor,
T'i kem në goj' e në dor',
Verdhojnë në deg' të shpirtit.
Kërthiza në barkun tënd
Goja, që më tretet lëng,
Më trallis edhe më çmend,
Më bulon në syth të shpirtit.
I gjith' ai kurmi yt
Më përdredh edhe më cyt,
Seç më bën një lëmsh në fyt,
Më gjethon në trup të shpirtit.
Që nga beli gjer në thua,
Më bie të fiktit mua,
Ngjal' e këmbëve të tua
Më noton ngjirrës së shpirtit.
No comments:
Post a Comment