Friday, November 23, 2012

Kristaq Turtulli - SA HERË...





Kristaq Turtulli

SA HERË...

Sa herë të ndesh në shkallë,
nënqesh
Dhe syrin e vëngër dredh.
Harron që jemi ardhës,
Ku dielli dhe hëna bashkë flenë
Mbështjellë me pelenat e shurdhërisë.
Më parë një dikush,
Nxitimthi shkroi në bulëzën vesës
Dhe lotin e fëmijës
Të tjerët që mbetën, vijnë më pas...

Sa herë të ndesh në rrugë,
Trotuaret mbështjellë janë në një fletë.
Të shkruar mijëra vjet më parë.
Dredhon, në ajkën e shtegut të ngushtë.
Harron që çapi të është i lidhur
në shkopinj të drunjtë.
Treten shikimet e lagështa në mugëtirë.
Xhelozitë janë çarçafë të ngrirë.
Por nuk u harrua të shkruhej
në rrufenë e dritës
Të tjerët s’mund të mbeten pas...

Sa herë të gjej mbështetur në cep ëndrrës
Qëndisur me gjilpërën e kometës,
Dhe perin e ngatërruar të merimangës,
Nuk fle,
Edhe pse mbështjellë je
me kapotën vjetër të vjeshtës.

Më zhurmojnë ndër veshë fjalët që me the
Dhe nuk ti thashë.
Kërkon të ikësh prej meje
shaluar mbi kuajt e bardhë.
Pikërisht kur u ranë potkonjtë!
Je e sigurt?
Ndalu ju lutem, ike, s’ më prite.
Përsëri nuk u harrua të shkruhej
me lapsin e vetëtimës,
Ku janë të tjerët që lamë pas,
Gjejini në mundshi dhe thirrini të vijnë...

No comments:

Post a Comment