Sunday, November 18, 2012

Fatbardha M. Xhani - MUND TË KISH NDODHUR NDRYSHE



Fatbardha M. Xhani

MUND TË KISH NDODHUR NDRYSHE

Nëse do të kish ndodhur ndryshe
të ishim dashur më shumë zemër
mund të kishim folur më pak
e puthur më shumë
Mund të kishim marrë më shumë diell
edhe ditëve me shi
më shumë se mbrëmjeve të Korrikut...

Kur dielli mbi krye
na digjte me zjarrin e fjalës së thënë pa mendje

Po po mund të kish ndodhur ndryshe
në heshtjet e fshehta
ti kishim folur më pak të tjerëve
që kishin pamjen e hiçit
e më kot i kërkonim besën asgjësë
në këmbim të dhimbjes...

Në mbrëmjet plot lëng serme
mundet që po ti kishim kërkuar flladit
pak pluhur të artë
mund të na kish bërë dy unaza hëne
e në besën e një nate
të ishim shkrirë në një rreth të zjarrtë
që ngrin ngadalë
gjer në agun e nesërm...

Mund të kishim ecur një natë të tërë
me këmbë ajri
e majave të paprekura të kishim ngulur
nga një flamur
Të bashkoheshim në pikëtakimet e tyre
e me një këmbë
buzëbashkuar të vallëzonim tangon tonë...

Mund të kishim hyrë në qelizën e fundit
e të shkruanim aty fjalët e dashurisë
në palcën e kockës më të vogël
në pikën e fundit të gjakut
të ëmblin helm të pasionit
të injektonim mes dhimbjesh...

Mund të kishim folur më pak shpirt
e të kishim thënë më shumë!!!

No comments:

Post a Comment