Sunday, November 11, 2012

Sami Gjoka - O ZOT, SE MOS NGJAJMË ME ZOTAT



Sami Gjoka

O ZOT, SE MOS NGJAJMË ME ZOTAT
Peshkatarët ngritën rrjetën;
Peshqit mbi kuvertë u derdhën
Nëpër këmbë përpëliten,
Oh, se ç’tmerr!
Tash nga luspat do te ripen
E me thika do të priten
Se në breg nga vjen muzika
S’ka parajsë por ka ferr
Do të piqen të serviren
Ndër ca njerëz qe nën drita
Po këndojn’ e po kërcejnë
Mes haresë e mes lajthitjes
Ku deh qeshja e ngroh pija
Ku me gishta do të shqyejn
Jargavitur të lëpihen
Ku, si engjëj, barqe-fryrë
Përpas mizorisë dëfrejnë.

Po të kisha pasur forca
Që s’i kam nga Perëndia
Kanibalët që mban bota
Si gabime do t'i fshija
Kur s’është, fare, nga nevoja
E të qenit për të ngrënë
Por është shija e çdo qenie
Që njeriu ka nën këmbë
Se njeriu bishë mbeti
Edhe nëse therë me thika
krejt i njëjtë nga ligësia
Me çdo bishë që mbyt me dhëmbë.

Qengji që të ndjek nga prapa
Kur i dhe pak bukë me kripë
Lopa që për foshnjën tënde
Jo të sajën mbushi gjinjtë,
Qeni që të pret te porta,
Kali që të mban mbi shpinë
Të kujtuan zot mbi zota
Se s’ta njohën ligësinë.

E tash tek shikoj kuvertën,
Çizmet që mbi peshqit shkelin
Mendja ime prej poeti që nuk gjeti prehje kurrë
E la tokën, e la detin e shkoi gjerë në maj te qiellit
Të gjejë zotin e t'i binte zotit atje lart nder gjunjë
Ku tërë njerëzit nëpër rrjeta vdekjesh kanë arritur si peshqit
Që janë rrjepur, që janë therur e po piqen tash në furrë.

Tmerri qe na pret përpara, sipër qiellit kur të vemi
E të rrimë pa ujë, pa ajër për nën këmb’ të Perëndisë
Është fakti se të mbrujtur, poshtë nga lluci e nga ledhi
Zoti, si na fali jetën, na dha edhe ngjashmërinë
Por kur të na ngrenë me rrjeta
Sipër qiellit pas, si peshqit
Në qentë Zoti, si njeriu
Do të hante dhe njerinë.

E tash lutja që më mbetet e dëshira thellë në zemër
Është që, hiç, të mos jemi, shëmbëlltyrë e Perëndisë!
Se ne çdo lloj qenie tjetër kemi ngrënë e kemi therur
Se njeriu kësaj bote
Hante madje dhe njerinë.

No comments:

Post a Comment