Friday, November 16, 2012

Luan Çipi - Ç’ËSHTË POEZIA?



Luan Çipi

Ç’ËSHTË POEZIA?

Poetit të njohur S, mik, moshatar me mua,
Një tufë vjershash i dhurova, pjellë frymëzimi
Dhe i thash: Po munde, unë nga ty,  kaq dua:
T’i lexosh vëmendshëm në sens gjykimi...

Jo, u përgjigj miku, është humbje, mundim,
Ti je krejt jashtë kohe, je një plak i mekur,
Klasik në vjershërim: me varg, ritëm, rim
Je i përdalë nga moda, koha të ka vdekur.

Modern jam unë, si një tjetër shfaqje
Pa limit në rimë, ritëm e metrikë,
Shkujdesur në rrokje, i lirë  në vargje,
Bashkëkohor në vite, si në Amerikë.

Dhe “vargjet e lira”, i kam  kapërcyer.
Fabul,  personazh nuk ka pse  mendoj,
Boll  të shkruaj bukur: bojë ylberi lyer,
Hënë, yje e engjëj - në varg admiroj.

Përmbajtja pa bosht, forma nuk ka vlerë,
Fllade pindarike, subjekte  abstrakte,
Shtirem erotik, fluturoj si errë.
S’dua poezi me norma dhe pakte!

Larg nga elegjia, soneti, metrika
S’ke ç ‘e do baladën, tingëllimën, hajkun
Vijnë rimat e reja Euro- Amerika,
Është koha jonë, mos na hani hakun!
         *   *   *
Jo, o mik i dashur, do vargëzoj siç di
Si shkroi Lasgushi dhe Ali Asllani,
Fan Noli dhe Fishta, si në Lashtësi:
Mall, shpresë, protestë, adhurim vatani,

Dhimbje dhe kujtime, dashuri e brengë,
Nder edhe respekt, qarje, britma, gjëmë,
Shprehje artistike, që të bëhen këngë
Dhe të recitohen me duar e  këmbë.

Poezia... Ndjenjat, zemrën ngazëllen,
 Buron thellë nga shpirti, rima e ritmi loz,
Leksikun përzgjedh, metaforat gjen.
Po nuk qe kështu, le t’i themi prozë.

No comments:

Post a Comment