Raimonda Moisiu
ËNDRRAT
Me zbrazëtirën e trishtë të dëshirave të mija,
si gurët e copëtuar të kalldrëmeve të vjetra,
dritat e rrugës si flakë e zbehtë qiriri,
më tregojnë se në shpirtin tim,
rri fshehur pëshpërima e mbretërisë
së ëndrrave,
e kësaj zemrës sime të çmendur.
Vrapoj në hapësirën e lirë,
këmbët e mija rrahin fort
duke lënë gjurmët e dëshpërimit.
Mundohem të iki sa më lart,
Të rilind,
Të vallëzoj në qelqin e reve,
të marr frymë,
ajër,
të hap krahët,
të përqafoj qiellin blu,
të strukem pranë mëkatit.
Në duart e mija, të shtrëngoj fort,
kujtimin ,- të mos humbasë rrugën.
Të ëndërroj të dashurin tim,
njomjen e buzëve të etura,
përvëlimin e vatrës së zjarrit,
që nuk e shuajnë dot,
as pikat e djersës
së ofshamave çjerrëse.
Të ngatërrohemi me çarçafët çdo natë,
Në çdo ind të trupit tim
si një trumbë ajrore fluturimesh
të ndjej
ngrohtësinë e bulëzave të gishtave,
që më ndez zjarrminë e dëshirave të gjoksit.
Të mos ndalem së ëndërruari në dashuri,
Ëndrrat!
Pas të cilave qëndrojnë,
Adhurimi e dashuria,
Bukuria e syve të kaltër,
Plot imazhe vezulluese qiellore.
Përqafimet e shpirtit të brishtë,
dhe puthjet e rrëmbyera netëve pagjumë…
Të ëndërroj,
Se jemi ende zgjuar në këtë botë,
Se diçka vjen ndryshe nga dita që shkon,
Se jeta jetohet edhe duke ëndërruar!
Si një Grua!
Grua, - në tërë dimensionin shpirtëror;
Të pasionit, ndjenjave dhe dëshirave!
No comments:
Post a Comment