Thursday, July 11, 2013

Vullnet Mato - PUTHJET NËPËR ËNDRRA












Vullnet Mato

PUTHJET NËPËR ËNDRRA

Kur adoleshencës
po i shkoja në skaj,
bota më thërriste
horizonteve tutje.
Vajzat më dukeshin
mrekullia e saj, 
dhe netëve me to
ëndërroja puthje.

Gjatë  asaj kohe
putha vajza dhe nuse,
nga më të bukurat
që kishte bota filmike.
Në perde kinemaje
putha artistet ruse:
Zvjetllanën, Ljudmillën,
Tatjanën magjike.

Putha Luçien, Nailen,
Pagarushën, Anitën,
me zërat drithmëtar
të zogëzave të pyllit.
Putha aktore Tinkën,
Violetën, Margaritën,
që më luanin brenda
skenës së shpirtit.

Po kur putha të parën
bukuroshe në realitet,
m’u duk se kish te buzët
gjysma hëne në vezullim.
Shkrepi një vetëtimë,
sikur putheshin retë    
dhe u dehëm sqep më sqep
si dy fajkonj në fluturim...





No comments:

Post a Comment