Fatmir Terziu
LËKURA IME
“Dituria vjen vetëm nëpërmjet vuajtjeve.” (Eskili)
Unë jam biri i vuajtjes. Lëkura
mbeti kapaku, letra, madje vetë libri
ku u mbështoll fati dhe jeta,
pelenat që huazova nga vëllai,
jelekun nga motra,
këpucët e blera tek Gabi,
mjaft gjëra të tjera të kota,
patën fatin e pantallonave të lypsarit
me të cilat çiftova xhaketën
për kostumin e martesës.
E kam shkruar historinë në lëkurë
mërzia dhe mllefi janë mes poreve
dyer të shqyera, konkurse
endem si dikur me ushkur,
mërdhirë mes auditorëve
dhe tatimin e paguaj me lëkurë.
Tashmë po rrëmoj në dengjet e bërllokut
të gjej librin e historisë,
diçka ka ndodhur brenda meje
falimentim i rrejshëm i ndjesisë
më mbath këpucë të tjera mode
kostum, kollare, spic
herë nën një kapak historie,
herë diku në kënde me flamuj
ku ndjej hapësirë lirie
tym, fjalë dhe avuj.
Mendja shpirtërore e sigurisë
ka shkuar në pakthim,
kur dëgjoj, e sotmja të lemerisë
duke shkruar ende fatin tim,
pa kontratë lëviz e shëtis,
rrugët janë mbushur me njerëz si unë,
si do vejë kjo punë?
E sapunisur fytyra e kësaj dite. Hakoçë
të rinj ka prurë në skenën
ku lëkura ime, e jotja, e të tjerëve
rolin e perdes luan me zor
në teatrin e madh:
për Standard Jetësor!
No comments:
Post a Comment