Vullnet Mato
ME PASIONIN
TIM, MOS QOFTË ASKUSH!
Fëmijëria ime
s’pati babanë pranë,
për dhjetë
vjet.
Qielli më
dërgonte shi.
Toka më
dhuronte lot.
Mes shtatë
sqepave të zogjve,
gojëhapur ditë
e net,
buka e nënës
nuk arriti
të më ushqente
dot...
Fillova të
vizatoj njerëz,
për të nxjerrë
ndonjë kaush.
Me pasionin tim
për t’u rritur shpejt,
mos qoftë
askush!..
Mora malet,
derisa më
pranoi një ahishte në pyje,
nga ku gjethet
vjeshtore
çonin fjalët e
mia të mallit.
Aty u
vëllazërova me çdo dru
që më bënte
hije,
pasi lash pranë
detit vëllezërit
dhe psherëtimat
e zallit.
Letrat e nënës
i bënte era gjethe
brigjeve me
gëmush.
Me pasionin tim
në punë të rënda,
mos qoftë
askush!..
Djalërinë ma
burrëroi
një Elenë e
Trojës korçare,
në luftën për shkakun
e dy feve
tona të
ndryshme.
Ashtu, si
Paridi, bir mbreti,
pasi e rrëmbeva
për fare,
durova, si bir
deti, dallgë
presionesh të
stuhishme.
Elenën e desha
si lisi,
pjergullën e
vet me rrush.
Me pasionin tim
në dashuri,
mos qoftë
askush!...
Shfletova
stivat e dispensave
nga të gjithë
shekujt letrar.
Dhe u fala
viteve,
gjumin bashkë
me flokët e dendur.
Pas dy
diplomave,
sfilita trurin
për t’u njohur shkrimtar.
Derisa u ula në
karrige druri,
mes njerëzve të
mençur.
Librat e mi
kishin dallgë Joni,
gjethe ahu dhe
dushk.
Me pasionin tim
në krijimtari,
mos qoftë
askush!...
Gjurmët e mia
nisën zanafillën
nga mali jugor
në Finiq,
dhe shkuan deri
te pllangat e akujve
në Alpet
verior.
Nuk besoj të
ketë ngrënë njeri
në jetë aq
shumë fiq,
sa kam jetuar
ngjarje
dhe kam njohur
tipa njerëzor.
Fjalët e zemrës
më kanë mbetur
në çdo mal dhe
fushë.
Me pasionin tim
përkushtuar miqve,
mos qoftë
askush.
Fytyra që më
qëndisi nëna me merak,
si të parin e
djemve,
kam arsye të
shpresoj se do mbetet
në vegime
internetike.
Kur të vjelin
njerëzit frutat qiellore
në degët e
këtyre pemëve,
besoj do gjejnë
dhe imazhin tim
në bërthamat
elektronike.
Tani rend
rrafshinave të kompjuterit,
derisa të vdes
plakush.
Me pasionin tim
në fraza dhe metafora,
mos qoftë askush!...
No comments:
Post a Comment