Fatmir Terziu
AUTOPORTRET
... ose “Gëzuar!” në ditëlindjen time.
Ky muaj është një re e madhe,
një hartë mitike mbi një det të tejlagur,
që ngulitet ngadalë e në kokë.
Është një meteor,
një planet,
mendja e pagjumë e ardhje-ikjes.
Pa aritmetikën e ditëve, ky muaj
për mua do të ishte krejt i huaj.
Një re e zbrazët mbi fletë talku. Ora
retinore prej së largu,
kurdiset mbi mirazhe e tundime,
Por unë e dua këtë muaj dhe do të vij!
si eremit do të ulem,
përposhtë valës tënde,
do të jem vetë vala jote,
një kal i çmendur në rrymë,
shpupurisur nga mushti i një gote,
përgjatë deltës plot frymë.
Nesër do të jetë një ditë e këtij muaji,
asgjë tjetër s’është më shumë si kjo,
një gotë kristali me bulëza malli,
nuk do të ndodh më shumë dhe unë,
do të fluturoj si shqiponjë mali,
ta çukisë në gotë me ju. Gëzuar,
do të ndjehem mes avujve,
që ky muaj vrullshëm ka shtuar.
Nga lindja udhëtoi mes meje,
si në kalendat e lashta greke,
një sy që hapet,
brenda kapakëve të këtij muaji,
një qiell vere,
një ditë që krihet paq, pastër,
si hyjni që zbret nga mendimi,
kinde e një shtrëngate të largët.
No comments:
Post a Comment